Vajza me emrin Elona Alija ka lindur më 4 janar 1994, datë që të kujton menjëherë fillim-vitin, pra, festën e vitit të ri. Dhe këtë mbresë ta përforcon edhe me pamjen e saj kjo bukuroshe simpatike. Ashtu e imtë me ato flokët e zes krela-krela, me atë zërin tingëllues si nota “mi” e një pianoje të akorduar mjeshtërisht, me atë gjallëri e hare si prej adoleshenteje trazovaçe, të duket se fillim-vitit i ka vjedhur atmosferën festive për të qenë vetë një simbol i përhershëm i rinisë së tij. Pra, me plot të drejtë mund ta përfytyrosh edhe si një vogëlushe me veshjen e plakut të vitit të ri.
Të bie menjëherë në sy prania e saj xixëlluese, në çdo mjedis qoftë, dhe bëhesh kurioz për të ditur diçka më shumë për këtë vajzë kaq tërheqëse.
Elona Alija banon në Kamëz. Është në vitin e tretë të shkollës së mesme të përgjithshme “Ibrahim Rugova”. Pra, pamja e saj çamarroke të përforcon në imagjinatë pikërisht profilin e asaj gjimnazistes lozonjare që përshkruan edhe ajo serenata e vjetër korçare që këndohet vazhdimisht nga të rinjtë e dashuruar që zënë hyrjet e gjimnazeve në një pritje të ethshme për vajzën e zemrës. Ja vargjet e këngës: “Të rashë nga pas moj të rashë nga pas, rrugës kur shkoje për në gjimnaz. Të rashë nga pas moj po ti më ike, rrugës kur shkoje në pedagogjike”...
Dhe vërtet të tilla vajza që rrezatojnë dritë e ojna tërheqin si me magji vështrimet e syve të djemve dhe pleqve, duke shkaktuar shumë psherëtima të llojit “Shih me sy e plas me zemër”...
E po nuk ke ç’të bësh tjetër: shih dhe plas përballë këtyre dhuntive që i ka falur Zoti kësaj vajze, gjimnazistes Elona Alija. Tekefundit hiret e bukurisë përzier me rininë në shtatin e një adoleshenteje janë krijuar vërtet për t’u admiruar, janë një botëz xixëllonjë që vënë në lëvizje flugerët e shpirtrave njerëzorë. Dhe askush nuk ka faj, as Elona, as cilado bukuroshe si ajo dhe as admiruesit e tyre. E tillë është vetë jeta, sa e mrekullueshme dhe problematike, e krijuar nga Zoti i Madhërishëm.
Elona Alija shprehet se ka shumë ëndrra dhe dëshira, vetëkuptohet si gjithë moshataret e saj. Ajo lexon me ëndje librat, shkruan dhe vetë vargje plot pasion. Dëshiron të bëhet gazetare, por edhe ekonomiste. Ka dëshirë të jetë aktore, por dhe të pozojë si fotomodele. Normale, dëshira që i kanë gjithë adoleshentet me natyrë pasionante si Elona.
Nuk është vetëm pamja, por edhe mirësia e shpirtit, dhunti me të cilat Elona magjeps admiruesit e saj. Një nga dëshirat më të mëdha të kësaj vajze është që ta shohë botën dhe njerëzit përherë në lulëzim, siç lulëzon edhe vetë ajo. Dhe për këtë e imagjonon veten shpesh në rolin e Plakut të Vitit të Ri me thesin plot me dhurata për njerëzit në nevojë, veçanërisht për fëmijët që rriten mes asaj varfërie ekonomike që karakterizon tranzicionin e tejzgjatur të botës shqiptare. Pikërisht kjo varfëri nxit shpesh edhe imagjinatën e Elonës për t’u bërë ekonomiste. Ndoshta me dhuntitë e saj shpreson të bëjë ndonjë magji për ta ndryshuar botën. E drejta e saj. Ku i dihet?!...
Sot për sot magjia - Elona Alija rrezaton veç mirësi e paqe për ata që e rrethojnë...
Elim Xanxari
No comments:
Post a Comment